Organizata të mirënjohura të shoqërisë civile i bashkëngjiten ekipit te D4J në “Kërkim të drejtësisë” në Kosovë

“Kërko Drejtësi” bashkëpunon me Lëvizjen FOL që të adresojë problemet e transparencës në sistemin gjyqësor të Kosovës
November 3, 2016

Organizata të mirënjohura të shoqërisë civile i bashkëngjiten ekipit te D4J në “Kërkim të drejtësisë” në Kosovë

25 Tetor, 2016 – Programi Kërko Drejtësi (D4J) mbajti mbledhjen e parë me partnerë. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për partnerët që ata të prezantonin një përmbledhje të punës së tyre në kuadër të programit “Kërko Drejtësi”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), si njëri ndër partnerët kyç të D4J, do ta zgjerojë monitorimin e gjykatave duke trajtuar kështu 2 sfida të “qasjes” në Kosovë: 1. Nëse akterët e drejtësisë ua garantojnë në mënyrë të suksesshme të drejtën për përfaqësim ligjor falas qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat; dhe 2.Nëse gjykatat gjykojnë për çështjet administrative në mënyrë efikase dhe brenda limitit të caktuar kohor ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.

Lëvizja FOL do te fokusohet në transparencën gjyqësore duke e hapur një dialog me akterët e gjyqësorit në lidhje me obligimin e tyre kushtetues që të sigurojnë qasje publike në informacionet gjyqësore dhe duke krijuar një platformë të “E-drejtësisë” e cila do të jetë e dizajnuar që të ofrojë qasje publike dhe që të nxis llogaridhënien në sektorin e drejtësisë. Platforma “E-drejtësia” e Lëvizjes FOL përveç publikimit të orareve të mbajtjes së seancave gjyqësore dhe mbajtjes së shënimeve për anulimin e këtyre seancave ajo po ashtu do të publikojë të gjithë “dokumentet publike” relevante siç janë Aktvendimet apo Aktgjykimet individuale të gjykatave dhe vendimet apo paditë penale dhe dokumentet tjera të ndërlidhura me performancën e gjyqtarëve apo te prokurorëve si dhe deklarimin e pasurisë.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) do të përpilojë një pyetësor anonim të quajtur Iniciativa për Integritetin e Gjyqësorit kundrejt gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe policëve në mënyrë që të zbulohen mekanizmat dhe format e korrupsionit ose barrierat e integritetit që po e rëndojnë sektorin e drejtësisë në Kosovë. Ky pyetësor është i bazuar në një pyetësor botëror i cili u zhvillua në vitin 2015 nga Oda Ndërkombëtare e Avokateve (IBA) dhe do te ofrojë një bazë për akterët e sektorit gjyqësor në Kosovë për të identifikuar, diskutuar dhe adresuar sfidat në arritjen e integritetit gjyqësor gjatë vitit 2017 dhe më tej.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR-KS) , Community Building Mitrovica dhe NGO-AKTIV do të udhëheqin përpjekjet tona për të edukuar dhe aktivizuar publikun – sidomos rininë – rreth problemeve aktuale të sistemit të drejtësisë duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe qasjen në drejtësi apo llogaridhënien publike si mekanizma kryesorë me anë të së cilave sigurohet zbatimi i të drejtave të njeriut. Ata do të organizojnë ligjërata që kanë të bëjnë me “të Drejtat”, “Qasjen” dhe “llogaridhënien” dhe klube të debatit për studentët e rajoneve siç janë Prishtina, Peja dhe Prizreni. Aktivizimi rinor gjithashtu do të arrihet përmes iniciativave të monitorimit dhe avokimit nga programi “Kërko Drejtësi” dhe përmes garave të cilat do të organizohen që të promovojnë iniciativa rinore në projekte që do ta mbështesin komunitetin dhe që do të përpilojnë projekte avokimi.

Partnerët e Kërko Drejtësi (D4J) u zotuan që do të bëjnë përpjekje të përbashkëta që të rrisin kualitetin dhe disponueshmërinë e informacioneve publike dhe të përmirësojnë avokimin dhe edukimin publik me qëllim të aktivizimit qytetar që të kërkojnë drejtësi në Kosovë.

Programi “Kërko Drejtësi” (D4J) është një program i financuar nga Departamenti i shtetit te Amerikës/INL dhe implementuar nga National Center for State Courts (NCSC) i cili mbështet zhvillimin e një kërkese të fuqishme për drejtësi në Kosovë të bazuar në fakte. Përmes D4J, NCSC po mobilizon OJQ-të partnere që të veprojnë si agjentë të ndryshimit për të nxitur llogaridhënie, transparencë dhe integritet në sektorin e drejtësisë.