IKD Publikon raportin: Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale

Takimet Bench Bar në Prizren dhe Gjilan për rezultatet e hulumtimit IIGJ
July 27, 2017
NDIHMA JURIDIKE FALAS NË ÇËSHTJET PENALE
September 16, 2017

IKD Publikon raportin: Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale

Prishtinë, 14 shtator 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi Konferencën “Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale dhe zbatimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, në bashkëpunim me programin “Kërko Drejtësi”, i cili realizohet nga National Center for State Courts (NCSC), i financuar nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së, Njësiti për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.
Gjatë konferencës IKD ka publikuar raportin “Ndihma Juridike Falas në çështjet penale dhe zbatimi i standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykatat e Kosovës”, i cili përshkruan hendekun në dhënien e ndihmës juridike falas, që shkel të drejtat e njeriut të qytetarëve të varfër duke mos iu ofruar atyre avokat ligjor në të gjitha rastet penale në mënyrën e paraparë me Kushtetutën e Kosovës. IKD i mbështeti keto te dhena me hulumtime, intervista të palëve të interesuara, dhe monitorimin e rezultateve të mbi 500 rasteve penale brenda Departamenteve të Përgjithshme – Divizionet Penale – të Gjykatave Themelore në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, nga 1 shkurti deri më 30 maj 2017.
Qëllimi i këtij raporti ishte të rrisë vetëdijësimin e aktorëve relevantë për këtë shkelje serioze dhe të vazhdueshme të së drejtës për të pasur ndihmë juridike falas për të pandehurit që nuk kanë mjete financiare për të paguar avokat, dhe propozon rekomandime konkrete për institucionet shtetërore të Kosovës për të zhdukur këtë të metë në sistemini juridik në Kosovë. Raporti i IKD përmban shifra alarmuese sa i përket të të pandehurve të papërfaqësuar në procedurë penale, ku nga 667 të pandehur, 457 (68.51%) prej tyre nuk kishin asnjë përfaqësim ligjor. Në intervistat me 379 të pandehur gjatë fazës së monitorimit, 116 (30%) prej tyre kanë deklaruar se kanë të ardhura të ulëta ose janë nën skemën e mirëqenies sociale në 3 gjykatat e monitoruara.
Z. John Furnari, drejtor i Programit “Kërko Drejtësi”, shprehu shqetesimin e tij për të gjeturat e raportit dhe përshëndeti nismën e disa anëtarëve të OAK-së, të përkrahur nga Programi “Kërko Drejtësi” të cilët pro bono janë duke përfaqësuar të pandehurit në procedurë penale si një zgjidhje e mire, por e pjesshme, për këtë problem. Z. Furnari poashtu u bashku nga përfaqesuesi i OAK-së, Z.Behar Ejupi, duke theksuar nevojën që shteti të rrisë fondet e ndihmës juridike për të zgjidhur këtë problem dhe që gjykatat të rimarrin fondet shtetërore për ndihmë juridike sipas detyrës zyrtare të ofruar për të pandehurit e dënuar të cilët nuk janë të varfër.
Të pranishëm të tjerë gjyqtarë, avokatë dhe prokurorë, konfirmuan të gjeturat e raportit dhe folën për rëndësinë që të pandehurit të kenë përfaqësim ligjor në të gjitha fazat e procedimeve penale.
Megjithatë, potencuan një sërë arsyesh praktike pse gjykatat nuk arrijnë të ofrojnë ndihmë juridike falas për të pandehurit e varfër në departamentin e përgjithshëm të gjykatave themelore, duke vënë theksin te: buxhetti jo i mjaftueshëm i gjykatave që të caktojnë mbrojtësin me shpenzime publike; mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për Agjensionin për ndihmë juridike falas si dhe mungesa e njohurive të të pandehurve për të drejtën në ndihmë juridike falas. Në fund, pjesëmarësit dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të sistemit gjyqësor, sistemit prokurorial, Kryetar dhe gjykatës të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Gjykatës Supreme të Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës, Kryeprokuror, Prokurorë, përfaqësues nga Avokati i Popullit, Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas dhe shoqëria civile dhe mediat.

Për më shumë lexoni raportin e plotë: Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale