Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm është arritur mes programit “ Kërko Drejtësi” dhe Misionit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX). Ky bashkëpunim i hapi rrugën një ligjërate të mbajtur nga prokurori i EULEX-it Drew G. Engel në klinikën ligjore për studentët pjesëmarrës dhe avokatët e OAK-së. Ligjërata me titull “ Sekretet për një marrje në pyetje të suksesshme” u dha mundësi studentëve që të mësojnë shumë nga përvoja ndërkombëtare e zotëri Engels. Kjo është ligjërata e parë me radhë nga ana e përfaqësuesve të EULEX-it ndërsa “Kërko Drejtësi” shpreson në përmirësimin dhe rritjen e raporteve bashkëpunuese pasi që kjo e fundit planifikon të shumëfishojë numrin e klinikave juridike të cilat u mundësojnë edukim ligjor të gjithë studentëve të interesuar të fakulteteve juridike.
Ligjërata i dha rastin audiencës që të mësojë më shumë për hapat që duhet ndërmarrë në lidhje me mënyrat e marrjes në pyetje në mënyrë direkte apo të tërthortë e po ashtu edhe për të praktikuar mundësinë e “Kundërshtimit” të pyetjeve te prokurorit. Zotëri Engel gjithashtu u dha këshilla studentëve në lidhje me mbrojtjen e klientëve të tyre si dhe instruksione në raport me sfidat që ata mund të hasin gjatë zbatimit të ligjit.
Klinika ligjore e programit “Kërko Drejtësi” u jep mundësi studenteve te fakultetit juridik që të asistojnë avokatët e OAK-së në përfaqësimin e rasteve Pro-Bono të të pandehurve me kushte të vështira financiare. Klinika u shërben 14 studenteve të cilët janë në vitin e fundit te studimeve bachelor ose në studimet Master duke ju dhënë atyre rastin që të shpalosin njohuritë e tyre akademike në praktikë përmes rasteve konkrete nën mbikëqyrjen e avokatëve të OAK-së.
Programi “Kërko Drejtësi” ka për qëllim të fuqizojë kërkesën e qytetarëve për drejtësi në Kosovë. Ky program implementohet nga NCSC dhe mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan/INL.