Takimet Bench Bar në Prizren dhe Gjilan për rezultatet e hulumtimit IIGJ

Ambasadori Alexander A. Arvizu viziton programin “Kërko Drejtësi”
Prill 6, 2017
IKD Publikon raportin: Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale
Shtator 14, 2017

Takimet Bench Bar në Prizren dhe Gjilan për rezultatet e hulumtimit IIGJ

Pas hartimit dhe zbatimit global të Iniciativës për Integritet Gjyqësor (IIGJ) nga Oda Ndërkombëtare e Avokatëve në vitin 2015, partnerët tanë të programit Kërko Drejtësi – Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) dhe Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) e përshtatën iniciativën në kontekst lokal. Sondazhi ftoi akterët e sistemit të drejtësisë që të zbulojnë në mënyrë anonime perceptimet e tyre rreth praktikave korruptive në sektorin e drejtësisë.

Pas procesit të anketimit gjatë muajve prill dhe maj 2017, IKD mbajti tryeza të rrumbullakta dhe zhvilloi intervista individuale me akterët kryesorë në sektorin e drejtësisë në Kosovë. Në korrik IKD organizoi takime me gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe përfaqësues të policisë në Prizren dhe Gjilan për të diskutuar gjetjet e hulumtimit.

Sipas sondazhit, më shumë se 70 për qind e të anketuarve pranuan se janë personalisht të vetëdijshëm për praninë e sjelljeve korruptive në sistemin e drejtësisë. Të anketuarit identifikuan format më të zakonshme të sjelljes korruptive si favorizimin dhe nepotizmin, të pasuar nga ndërhyrjet politike dhe ryshfeti. Nxitësit kryesorë që sjellin veprime të korruptuara përfshijnë përfitimet personale, mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira me akterët politikë, pasuri nga shpërblimi dhe emërimet, si dhe niveli joadekuat i mekanizmave mbikëqyrës. Ndërkohë, avokatët u identifikuan si ndërmjetësit kryesorë në procesin e shkëmbimit të përfitimeve materiale për sjellje korruptive.

“Ky hulumtim është një hap shumë i mirë dhe kam besim në saktësinë e rezultateve. Pa marrë parasysh se sa të pakënaqur mund të jemi me të gjeturat, është e rëndësishme për të gjitha institucionet relevante që të merren me këtë fenomen social dhe të bashkëpunojnë për të identifikuar raste specifike dhe për të vepruar drejt parandalimit të këtij fenomeni në interes të drejtësisë”, tha Osman Havolli, Kryetar i OAK-së gjatë tryezës në Prizren.

Kryetari i degës rajonale të OAK-së në Gjilan, Shemsedin Piraj, tha se ishte i vetëdijshëm për praninë e korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe tregoi se personalisht ka njohuri për një numër të konsiderueshëm të rasteve të sjelljes korruptive.

Kjo shpalosje e informacioneve provokoi reagimin e Aziz Shaqirit, Gjykatës në Gjykatën Themelore në Gjilan, i cili e përshkroi fenomenin e korrupsionit si “kancer në shumë sisteme [të drejtësisë] në botë” dhe argumentoi se “për ta luftuar atë, të gjithë duhet të raportojmë raste të tilla; nëse njohim emrat ne duhet t’i zbulojmë; dhe duhet të kemi reforma të thella në sistemin e drejtësisë”.

Në përgjithësi, asnjë nga të pranishmit në tryeza nuk e mohuan ekzistencën e sjelljeve korruptive në sistemin e drejtësisë, megjithatë, shumë pak pjesëmarrës flisnin hapur për mekanizmat dhe rrethanat e rastet e tilla të korrupsionit. Përveç kësaj, të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se sistemet mbikëqyrëse dhe disiplinore të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve nuk janë mjaftë efikase për të adresuar korrupsionin në sektorin e drejtësisë.