01 Mars, 2017. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Programit “Kërko Drejtësi” dhe universiteteve lokale po jep rezultatet e saj, ku tashmë ështe themeluar klinika e dytë Juridike në kuadër të këtij programi në Universitetin e Prizrenit.
Drejtori i Programit, John Furnari dhe Rektori i UPZ, Ramë Vataj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, e cila bën të mundur krijimin e Klinikës Ligjore në Universitetin e Prizrenit, e cila do tu shërbejë stundentëve të këtij universiteti ti aplikojnë njohuritë teorike në praktikë.
Klinika Juridike do të zbatohet në hapsirat UPZ, ku studentët do të kenë mundësi të jenë pjesë e ligjeratave javore, të cilat do të mbahen nga profesionit vendor dhe ndërkombëtarë nga sektori i drejtësisë gjithashtu edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Për më shumë, studentët do të mund ti aplikojnë njohuritë e tyre akademike duke i asistuar avokatëve të angazhuar nga Oda e Avokatëve në këtë klinikë, duke ofruar përfaqësim falas të akuzuarve të cilët nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë për avokat.
z. Vataj potencoi se “Kjo marrëveshje bashkëpunimi është e një rëndësie të veçantë për Universitetin e Prizrenit dhe ne do të bëjmë më të mirën për të siguruar që ky projekt të zbatohet me sukses”. Z. Vataj falenderoi z. Furnari për kontributin e tij në themelimin e kësaj Klinike Ligjore, nga e cila studentët e këtij universiteti do të përfitojnë mjaftë shumë.
Z. Furnari, falenderoi përfaqësuesit e UPZ për bashkëpunimin e tyre të ngushtë dhe mbështetjen për themelimin e Klinikës ligjore në komunën e Prizrenit, e cila është përfshihet në planin e punës së këtij projekti. Z. Furnari gjithashtu theksoi se studentët më të dalluar të kësaj klinike do të kenë mundësi të angazhohen edhe në dhënien e ligjeratave në shkollat e mesme në kuadër të kampanjës për vetëdisimin e të rinjëve për rolin e tyre në kuadër të sistemit të drejtësisë.
Programi Kërko Drejtësi (D4J) financohet nga Departamenti i Shtetit Amerikan/INL dhe implementohet nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NCSC) për të mbështetur zhvillimin e një kërkese të fuqishme për drejtësi në Kosovë të bazuar në fakte. Përmes D4J, NCSC është duke mobilizuar CSO-të partnere të veprojnë si agjentë të ndryshimit për të nxitur llogaridhënie, transparencë, dhe integritet në sektorin e drejtësisë.