Monitorimi i Gjykatave

Rreth komponentës së Monitorimit të Gjykatave

Përfaqësimi ligjor pa pagesë, duke përfshirë këtu edhe rastet penale, është i garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6, paragrafi 3(c) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila aplikohet drejtpërdrejtë në legjislacionin tonë përmes nenit 22 të Kushtetutës. Megjithatë, sipas raportit të OSCE 2016 Monitorimi i Drejtësisë, në 64% të rasteve asnjë nga palët nuk është përfaqësuar nga ndonjë avokat në raste të përgjithshme penale. Edhe pse anekdotike, dëshmitë sugjerojnë se shumica e 64% janë të pandehur dhe se hendeku i përfaqësimit kryesisht ndodh kur rasti i një të pandehurit bie nën kriteret e përfaqësimit të detyrueshëm - kur krimi i supozuar në aktakuzë mbart një dënim me burg prej tetë (8) vjet ose më shumë.

E drejta për një mjet efektiv juridik është po ashtu e garantuar me nenin 54 të Kushtetutës dhe me nenin 13 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut. Megjithatë, më 22 gusht 2016, Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një raport ex-officio që adreson çështjen e mungesës së mjeteve juridike efektive në rastet e konfliktit administrativ pasi që gjykatat janë duke dështuar të procedojnë rastet në mënyre efektive, duke vonuar shqyrtimin e ankesës ose duke refuzuar prishjen e vendimeve dhe vendosjen në merita siç parashihet me ligjin mbi konfliktet administrative. Në vend të kësaj gjykatat i dërgojnë rastet prapa për rishqyrtim në instancën e mëhershme (organin administrativ apo gjykatën themelore). Kjo situatë krijon pasiguri juridike dhe dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Komponenta e monitorimit të gjykatave të programit D4J është udhëhequr nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). IKD do të nxisë përgjegjshmërinë e akterëve të drejtësisë duke monitoruar zbatimin e kërkesave kyçe të KEDNj rreth qasjes në drejtësi - duke përfshirë të drejtën për avokat në çështje penale dhe gjykimin efikas të mosmarrëveshjeve administrative.

Qëllimi i Komponentës

Qëllimi i komponentës për monitorim të gjykatave është që të vë në dukje dhe të dokumentojë hendekun në përfaqësimin ligjor të të pandehurve dhe mungesën e mjeteve efektive juridike në rastet e konfliktit administrativ.

KLI Partner

Rreth IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është themeluar në shkurt të vitit 2009 për të përkrahur qasjen në drejtësi, reformat në sistemin e drejtësisë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Misioni i IKD është të përmirësojë qasjen në drejtësi dhe sundimin e ligjit në Kosovë dhe rajon. IKD ka për qëllim për të përmbushur misionin e saj, duke mbështetur proceset e rëndësishme që ndërlidhen me forcimin e të gjitha pjesëve të sistemit të drejtësisë

Puna e IKD fokusohet në fushat si në vijim

  • Reformën gjyqësore;
  • Sundim të ligjit;
  • Iniciativat legjislative;
  • Zbatimin e ligjeve;
  • Përputhshmërinë e legjislacionit vendor me standardet e BE-së dhe OKB-së;
  • Edukimin ligjor dhe medial;
  • Më shumë rreth IKD mund të gjeni në: http://kli-ks.org/